Σάββατο 13 Φεβρουαρίου 2010

Bota, vallë, ka turp?!


Ditë shkurti. Si një pëllumb i trembur,  ai rri i strukur galiç, mbi dyshemenë e ftohtë, në një cep të dhomës-qeli, në katin e tretë të godinës madhore të Asfalias Atiqisë. Ka ftohtë. Dremitet. Për çudi, ndonëse i vjen të qajë, të bërtasë me të madhe, nuk bën asgjë të tillë. Madje, përton dhe të lëvizë, paçka se i është mbirë sakaq i gjithë trupi. Nuk dëshiron as të mendojë. Pastaj, vjen një çast kur koka i varet mbi sup.
- Zgjohu!
Ai hap sytë. Në gjysmëerrësirën e dhomës dallon para vetes një polic trupmadh dhe mustaqevarur, që i shtrin përpara fytyrës një pjatë. Në dorën tjetër mban një gotë plastike me ujë.
- Nuk mundem, - bëlbëzon djaloshi i trembur, me atë greqishten e çalë që di.
Polici dremitet. “Në dreq, - shan me vete fëmijën që ka përpara, - duhet edhe t’i lutim të hanë tani…”
- Përse nuk mundesh? – e pyet i bezdisur.
Nuk merr përgjigje. Lë pjatën përtokë, hap paksa derën, që drita e koridorit të bjerë mbi fëmijën. Befas shtang. I shpëton gota nga dora tjetër, duke i lagur në gjunj pantallonat blu të uniformës. “O zot, - mendon polici, - si nuk ma thanë… fëmija nuk i paska duart!”
Përgjunjet përpara djalit, ia merr nëpër duar kokën e palarë dhe të paqethur dhe papritmas i shpëton një klithmë: “Ç’e kanë sjellë këtu…?!”
Tek ia mban kokën fëminore nëpër duar, befas ajo i shpëton, ashtu si gota që i kishte njomur pak përpara pantallonat. Njëkohësisht i shpëton klithma e dytë e habisë. Djaloshit i mungonte edhe një sy. Kurse tjetrin e kishte shumë të dëmtuar.
- Përse të kanë sjellë këtu? Ç’ke bërë? – pyet fëmijën, tashmë me një zë të butë, sikur të donte të bënte kujdes mos ta trembte më tepër..
- Lypja në pazarin e Gjizit, - përgjigjet djaloshi. – prej andej më sollën këtu.
- Si të quajnë?
- Arsen M., - bëlbëzon i vogli.
- Mirë, ha tani. Do të të sjell dhe ujë, - i thotë polici.

Pastaj gardiani trupmadh dhe mustaqevarur ikën. Pas pak, në tërë godinën e Asfalias mësohet lajmi për 14 vjeçarin nga Shqipëria, që ishte i ndaluari më i vogël ato çaste në polici.
Ishte sakatosur nga shpërrthimi i një bombe, dy vjet më parë, në atdheun e vetë. Ishte arrestuar paradite në njërin nga pazaret e fruta-zarzavateve, laiqitë, siç u thoshin vendasit, me akuzën… e lëmoshës së paligjshme. (Gjer atëhere, polici trupmadh nuk e dinte, se të arrestonin edhe me këtë akuzë). Ishte flakur në një nga makinat policore, kluvat, siç u thoshin, për të përfunduar në njërën nga birrucat e katit të tretë. 14 vjeçari Arsen M., fëmijë emigrantësh nga Shqipëria, akuzohej nga ligji, se kishte prishur dekorin evropian të kryeqytetit grek.
I jati, 56 vjeçari Meleq M. kishte shkuar aty nga dreka në polici. Kishte kërkuar fëmijën e tij. E lanë ta takonte. Siç dëshmojnë policët që u gjendën aty, burri i tha veç nja dy fjalë djaloshit në gjuhën e tyre, që ngjanë me fjalë kërcënuese, pastaj kishte ikur. Fëmija ishte kthyer përsëri në vetminë e tij dhe qysh atëhere nuk e kishte ngritur kokën.
***
Meleq M. ishte person i njohur për policinë. Ushtronte profesionin e shefit të lypsarëve të vegjël. Kudo, nëpër vendet strategjike, në laiqitë, udhëkryqet e rrugëve me fanarë, përpara kinemave… Organizonte gjithshka me profesionalizëm: studimin e terenit, vjeljen e fitimeve nga të gjithë vartësit e vegjël, zbatimin e rregullave të sigurimit teknik, siç i pëlqente të quante metodat e fshehjes nga sytë e ruajtësve të rendit. Të gjitha këto ishin të njohura për policinë. Lypsarët e vegjël i quante “fëmijët e mi”. Madje njërin e kishte deklaruar në pashaportën e tij, si fëmijën e katërt, ndonëse e shoqja i kishte lindur vetëm tre. Kësisoj, kishte mundur ta sillte të voglin nga Shqipëria. Tjetër punë, në i vogli duhej të nxirrte vetë bukën e gojës. Kurbet hesapi… Pastaj, puna të bën mire, të burrërron më shpejt. Kështu thoshte shef Meleqi…
Fëmija i birësuar nuk  është Arseni. Vogëlushi që mbahet i ndaluar në birrucën e katit të tretë të godinës së policisë, është fëmija i tij biologjik. Ndonëse i di edhe ai të gjitha këto, nuk dëshiron të flasë për të jatin. As për motrën e tij tetëmbëdhjetë vjeçare, për të cilën, kur e pyesin, thotë: “E ka dërguar babai në një punë...”. Atij i vjen turp të tregojë se ç’punë bën e motra. Kur flet për të ëmën, sytë i mbushen me lotë. “Është e sëmurë, - thotë. – Gjithmonë ka ftohtë...” Ka qejf këtu e shumë kohë t’i blejë një xhaketë të ngrohtë, një palë doreza të ngrohza e të buta, si ato të zonjave. Që të mos mbërdhijë. Por nuk i dalin paratë. Babai i jep vetëm sa për të blerë një byreçkë.

***
Kaluan ditë. Arsen M. u bë i ndaluari më i njohur në Asfalian e Atiqisë. Tashmë e trajtonin si të ishte në një shtëpi pushimi. I ndërruan qelinë, e vendosën në një dhomë të pastër, plot dritë, e ushqenin mirë, sekush gjeti edhe një televizor të vogël. Ishte nga të paktët herë, që ligji, çuditërisht, u bë i ndjeshëm. Asfalistët bënë gjithshka që djaloshi mos t’i kthehej bulevardit dhe llaiqive.
U trokitën shumë dyer bamirësish për Arsenin. Shumë qendra jetimore u lutën ta bënin qytetar të tyrin djaloshin shqiptar të gjymtuar. Mirëpo, asgjë. Kërkoni të dini përse-në? Është e thjeshtë: për shkak të gjymtimit, fëmija nuk mund t’i shërbejë plotësisht vetvetes. Kështu, nuk u hap asnjë kraharor për Arsenin, nuk u prek askush. Nuk u gjend as edhe ndonjë gazetar televizioni, nga ata me “shtatë yje” në gradat e famës, që të bënte “heroizmin” e tij profesional nëpër dritaret televizive, që, në fund të fundit, të përfitonte edhe i vogli. Asgjë nuk u bë.
Gjersa erdhi vendimi i Prokurorisë së Athinës për problemin në fjalë. Ju, të dashur lexues, mendoni se jeni në gjendje të parashikoni zgjidhjen e dhënë nga Drejtësia Evropiane Greke për Arsenin e vogël? Puna juaj, unë veçse kam qejf t’iu paralajmëroj: kujdes me kapriçiot e Së Drejtës! Ju prapë, mund të ngulni këmbë: jetojmë në një botë të qytetëruar, ku mbi gjithshka vihen të drejtat dhe liritë e njeriut, aq më shumë kur bëhet fjalë për fëmijët, aq më tepër kur këta fëmijë ndodh të jenë të pambrojtur dhe të gjymtuar. Ashtu? Dëgjoni pra vendimin e Prokurorisë Greke për fatin e të ndaluarit të vogël shqiptar Arsen M.: “Ngaqë policia nuk është shtëpi bamirëse, fëmija në fjalë të kthehet pranë familjes së tij”. Me një fjalë, në... bulevard. Prapë mirë, që ligji nuk bëri “detyrën”, për ta dërguar Arsenin e vogël në ndonjë kamp pune të detyruar... Që të fitonin punë paskësaj edhe avokatët grekë...

***
Të djelën që vjen, Arseni do të jetë duke lypur në ndonjë llaiqi. Njëqind për qind. Ka specifikën e tij në punë, që e bën të suksesshëm. Nuk shtrin duart, si të gjithë lypësit në botë, ngaqë nuk ka. Nuk të ngul sytë, si një qenush që pret një përkëdhelje, ngaqë ato i ka dëmtuar në një masë të madhe, nga bomba. Bëlbëzon nja dy fjalë me atë greqishten e tij të pakuptueshme dhe njerëzit, ngaqë nuk e kuptojnë ose thjesht nga mëshira, i hedhin monedhat në pjatën e tij plastike. Unë e di se ç’bëlbëzon Arseni. Doni ta mësoni edhe ju? E dërgon në dreq botën ku rron.
Por bota, vallë, ka turp?
 GRIGOR JOVANI
 “Zëri i Emigrantit”,
27.3.1999

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου