Τετάρτη 24 Φεβρουαρίου 2010

Një ballkanas, që nuk i referohet... historisë


“Je ai që je dha maskat nuk mund të fshehin fytyrën tënde.
Bëji shkrimet e tua të nevojshme për lexuesit dhe mos u merakos për të tjerat.
Shpresoj, që edhe pas vdekjes sime, dikush t’i ketë nevojë librat e mi.
Siç shkruaj tek romani im i fundit, librat janë i vetmi trup i dytë që kam”.
MILORAD PAVIÇ

Shkrimtari që pranon vetëm supermacinë e grave

78 vjeçari Milorad Paviç, mbase shkrimtari më i rëndësishëm serb i ditëve tona, është, gjithashtu, miti i gjallë popullor i fqinjve tanë veriorë. Sa herë prezantohet një libër i tij i ri, gjendet i rrethuar nga të rinj të shumtë - shumica të seksit të bukur -pikërisht, sepse me veprën e tij, konsiderohet se përfaqëson brezin e ri. Nga ana tjetër, siç pohon edhe vetë, “letërsinë tashmë e komandojnë... gratë”.
U gjend para pak kohësh në Athinë, në kuadrin e ciklit të bisedave me korifenjtë e sotëm të letrave të përbotshme, të titulluar “Faqet që dashuroj”, që organizon Lidhja e Shkrimtarëve Grekë. (Autori i këtyre radhëve pati fatin ta dëgjojë).
Dhe s’kishte si të shmangej dashamirësi i pasionuar i grave, prej temës së tij të preferuar (kam patur rastin ta vërej këtë edhe tek intervistat e tij të tjera), d.m.th. atë të kontributit dhe vendit të femrës në letërsinë e sotme. Deklaroi përpara të gjithëve: “Gjithnjë e më shumë lexoj gra shkrimtare. Shkrimtarët më të mirë sot janë gratë. Libri më i lexuar i kohës sonë (nuk ka rëndësi, nëse u pëlqen apo jo) është “Hari Poter” dhe e ka shkruar një grua, Xh. Rouling. Në vendin tim kemi, gjithashtu, shkrimtare të shquara, siç janë Isidora Belika, Jasmina Mihajloviç dhe Neda Cidoroviç”.
Ndonëse “injoron” dukshëm kontributin mashkullor në letërsi, unë mendova t’ia skicoj portretin, qoftë edhe për hir të mikeshave tona të artit.


Dhjetëvjeçari i trazuar

Dhjetëvjeçari i fundit i shek. të kaluar, për Milorad Paviç-in ishte tejet i trazuar. Jetoi ndërhyrjen e forcave të NATO-s dhe bombardimet që pasuan, ndërkohë që jetën e kishte gjithmonë në rrezik, për shkak të armiqësisë që tregonte ndaj tij regjimi i Milosheviçit, me praktikat e të cilit, jo vetëm nuk u pajtua kurrë, por u vu në kundërshtim të hapur. Kur vendi i tij u gjend në prag të një raundi të ri bisedimesh, në Rambuje, nën arbitrazhin e komunitetit ndërkombëtar, për të ardhmen e Kosovës, shkrimtari veteran nuk shikoi ndonjë gjë të re në qëndrimin e pushtetarëve të Beogradit. Pati burrërinë të dilte “kundër rrymës”. Për të konkluduar: “Nuk besoj se doli ndonjë gjë e mirë, nga ato që bëmë, këtu e shumë kohë”.
Veçse arti që krijonte, prej të cilit frymëzoheshin horizontet e botës së tij të pavarur dhe optimiste, e bënë të shikonte atë, që shumë prej bashkëkohësve dhe bashkëkrijuesve të tij kombëtarë, akoma dhe sot e kanë të vështirë ta dallojnë. Jo, pa shkundur prej supeve, mantelin ballkanas që na trashëguan erërat e shakpërdredhura të gadishullit. Mantel që nuk e veshin vetëm ata. Por edhe ne të tjerët, “patriotët” e shkëmbit, të dallgës apo të plisit, këto materie që ne, ballkanasit, i duam... me mënyrën që i duam. 
“Pas furtunave dalin ylberët”, thotë.
Kështu ndodhi me krijimtarinë e tij, kohët e fundit, e cila njeh një begati jo të zakonshme. Pikërisht këto kohë shkroi romanet “Kurmi i dytë”, “Romani i fëmijëve” dhe përmbledhja me tregime “Dy freskuese nga Gallataja”. 

Vitamina kulture

Milorad Paviç-i nuk rresht së rrëzuari mitin e romanit klasik. “Mësova shumë nga shkrimtarët klasikë. Si të shkruash një roman dhe se nuk duhet ta shkruash me sentencën e tyre tani, gjatë shekullit 21”, thotë ai.
Romani shumëfaqesh “Fjalori i Hazarëve” ka formën e një fjalori, “Pejsazhi i vizatuar me çaj” ngjan me një fjalëkryq, që mund të lexohet horizontalisht dhe vertikalisht, kapitujt e “Dashuria e fundit në Stamboll” u korrespondojnë kartave të bixhozit. Tek tregimet alegorike të dashurisë, me titull “Kërminj prej qelqi”, ka dy interpretime të së njëjtës histori dhe shkrimtari i propozon lexuesit të zgjedhë vetë, cilën finale preferon.
“Besoj se lexuesit e udhëheqin letërsinë tek një kohë e re, jo shkrimtarët”, thotë. Kjo e ardhme, sipas mendimit të tij, gjendet tek përvoja e re letrare, ajo e deklarimit me gojë, gjë që imponohet prej zhvillimit teknologjik, sidomos të medias elektronike. “Të gjithë ne, shkrimtarët, që nga Homeri akoma, bazohemi tek tradita e letërsisë së folur. Letërsia po kthehet përsëri tek rrënjët e saj. Jam i lumtur që për këtë, sot ekzistojnë mundësitë elektronike dhe mundohem t’i ndjek”.
Kjo është arsyeja, që Paviç është njëri nga partizanët më të flaktë të “librit elektronik”. “Nuk është vetëm interneti, që vë në rrezik trashëgiminë autoktone të shumë kulturave. Në fund të fundit, është një rrezik që përballohet. Origjinaliteti i një kombi, siç janë grekët dhe ballkanasit e tjerë, nuk gjendet vetëm tek gjuha. Librat e mi janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë. Lexuesit ndikohen nga idetë e mia letrare dhe nga mënyra si shprehem. Në qoftë se dikush ta ka nevojën, nuk do të pyesë se në ç’gjuhë shkruan, por ç’vitamina kulture i ofron”.
Kur zë lapsin me dorë, M. Paviç-i nuk di si do jenë karakteret e personazheve të tij, ç’rrjedhë do të ndjekë subjekti. “Nuk është gjë e mirë të dish gjithshka për historinë që shkruan. Shkrimtarët që janë më të zgjuar se romanet apo poezitë e tyre, i prishin punë zanatit”.
Tek librat e tij trazon realitetin me legjendën, misterin e Bizantit me energjinë e Ballkanit. “Një shkrimtar rus tha se në librat e mi nuk flas për të kaluarën, pasi nuk jam shkrimtar i periudhës së Gutembergut. Kjo do të thotë, se jam në kontakt me mitet parahomerike, të cilat do të jenë të gjalla edhe në epokën pastipografike, kur do të mbizotërojnë botimet elektronike”.
Për këtë qëllim, Paviç-i u rekomandoi shkrimtarëve të pranishëm gjatë takimit të Athinës, që t’i shmangen të kaluarës historike. “Je ai që je dhe maskat nuk mund të fshehin fytyrën tënde. Bëji shkrimet e tua të nevojshme për lexuesit dhe mos u merakos për të tjerat”.
Po e ardhmja?
“Shpresoj që edhe pas vdekjes sime, dikush t’i ketë nevojë librat e mia. Siç shkruaj tek romani im i fundit, librat janë i vetmi trup i dytë që kam”.
Emocionuese të gjitha këto, por pak të vështira për ballkanasit...
GRIGOR  JOVANI

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου