Κυριακή 7 Φεβρουαρίου 2010

… pastaj erdhën gratë


GRIGOR JOVANI

Fragmente nga libri me lirika erotike,
i përgatitur për botim:

              “Të parën herë që Adamit 
iu dha mundësia, 
e hodhi fajin tek gratë...”
NANSI ASTOR




Statistika

Gra të bukura parakaluan
në jetën time. Por,
s’di si ndodhte, më të shumtën
nga vëmëndja e tyre gjëndesha
jashtë.

Përjashto këtu gruan time. Dhe
pesë a gjashtë...

Trill femëror

“Të dua!”, më kish përshpëritur
                                     një vajzë,
pas xhamit të trenit përballë,
tek shkëmbeheshim dikur
në Vorë.

Hodhi fjalën në ajër...

Që të mos e zija
me dorë.

Dëshirë mëkatare

Doja të të jepja goditjen fatale:
një plumb pas koke,
një thikë në zemër,
një gur në yll të ballit, ku
të bien kaçurelat. Ah,
të të dëgjoja psherëtimat e fundit,
me atë zë të mekur...

Ashtu, ashtu bëra. Dhe
rashë i vdekur.

Bujtina e seksit

Sot, se çdo herë,
ishte më mirë.
S’prisnin emigrantët,
tapë të pirë.

Dhe asnjë s’më pa,
kur kisha hyrë...

... Prapë të njejtën djersë
mbanin gjinjtë.


Seksi prapë i shpejtë,
i pistë, si minjtë.

Dhe kur dola, prapë
më panë komshinjtë.

Të lutem...

Po të lë derën shkyçur.
Nëse dëshiron të ikësh,
me takt...

Veç mos e përplas. Është
dera e zemrës.
Kam kaluar infrakt.

Ngjyrat

Ç’rëndësi ka cilën portë do të kalojmë:
timen ngjyrë are,
tënden ngjyrë ftua...

Për ty,
e rëndësishme është ngjyra e tavanit,
ajo e parketit
për mua.

Mbase...

U mbështolle mbi divan
me të ardhur.

Mbase fsheh
ndonjë shenjëz në faqe,
mos në gushë të kanë lënë
një zambak...

Bëj dy kafe
.

Të ëmbël për ty,
për vete farmak.


Hija

Befas kuptova se po më ndiqte
hija ime.

Ndalova. Dyshimi si thëngjill
më dogji.

Këtu më ndjek hija ime, thashë,
jo më i shoqi.

Të thashë...

Eca shumë këtë natë
dhe s’di të kthehem.
Rreth meje terr
dhe hone.
Ç’faj të kam, moj zemër,
ç’faj të kam?
Ëndrrat s’janë fanar,
por iluzione.

I martuar...

Më prite gjithë pasditen,
por më kot.

Të zuri një amok:
shqyve sutjenët.

Kisha një problem
me shumë rëndësi:

Laja enët.

Era

Të falenderoj,
erë dinake e bregdetit!

Më kot shejtanka
mban me duar fustanin,

duke më fshehur
sarajet e mbretit!

Orët

Sytë e tu -
dy fillxhana të mëdha kafeje,
ku gjurmojnë fatin e mëpastajmë
dashnorët.

Unë nuk erdha të shikoja fatin,
thjesht
të kurdisa orët.

Instikt

Femër më të bukur s’kisha parë.
Treni fluturonte. Sytë e mi
si në destinacionin final
kishin ndaluar mbi vajzën.
Instiktivisht
fsheha dorën në xhep,

atë ku mbaja unazën.


Gjendje emocionale
 
Unë e kuptoj
kur nuk ke qejf
të bësh dashuri.

Kur bën thjesht
për të mos më mërzitur
dhe fyer.

Kur s’do,
mbyll dyert:
“Për të mos na dëgjuar njeri”.

Kur do,
s’të bie në mendje
për dritare dhe dyer.

Epilog 

Kur të vdes mos më vini mbi varr
               pllaka të rënda
                   mermeri.

Tjetër rëndesë nuk dua të marr,
         mjaftojnë mëkatet
                dhe ferri.


Shënim:
Skicat janë të Leonidha Bullgarit
dhe i bashkangjiten librit në fjalë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου