Κυριακή 14 Φεβρουαρίου 2010

“Valentine's day”

GRIGOR JOVANI

Fleta e pashkruar.
Pret t’i vish ti.

S’është bërë
akoma
zemra poezi.




Ktheji sytë nga unë,
qielli s’ka kuptim
pa yjet!

Po të shikosh gjetkë
djeg pyjet.

***
Kur dole në breg
shkunde flokët,

ndërsa doja
të zhytesha.

Në cilin det
të mbytesha?

***
Stili yt,
aroma jote
dhe ajo xhaketë e mëndafshtë
që të vallëzonte mbi vithet,
tek ikje,
lanë një gjëmb në shpirtin tim
dhe s’e hoqa.

Bëra gabim. Pësova gomë,
kur të ndoqa.

***
E ç’farë se jam burrë?
Lë zemrën
lotë të pikojë.

Të krijohen liqene.
Të ketë ku
të udhëtojë.

***
Nuk më fole kurrë
për dashuritë
e tua.

Mirë bën! Është prush
dashuria.

***
Më prite gjithë pasditen,
por më kot.

Të zuri një amok:
shqyve sutjenët.

Kisha një problem
me shumë rëndësi:

Laja enët.

***
I more natës
trupin dhe sytë,
dhe u fshehe.

S’kishe nevojë
për të tjera puthje
dhe raqe.

Tani
gdhihem mëngjeseve
me të kuqe buzësh
në faqe.

***
Mbi çarçafët e ndotur
Trupi yt
i Shenjtë.

Tryeza e varfër,
servicoja e shtrenjtë.

***
Të falenderoj,
erë dinake e bregdetit!

Më kot shejtanka
mban me duar fustanin,

duke më fshehur
sarajet e mbretit!

***
E shkreta natë!
Largohet e heshtur,
sa dëgjon një këndez.

E di që do kthehet,
me zjarret që ndez.

***
Duart e tua - fole pëllumbash,
m’i vije mbi supe dhe dëgjoja
gugatje gëzimi.

Përse m’i largove?

Tani supet më ngjajnë
fole në vjeshtë,
pas shtegtimit.

***
Zhveshe rrobat e tepërta
dhe s’ndjeva
asnjë habitje.

Të gjitha pemët
duan krasitje.

***
Pret, thjesht, të dëgjosh një kumt,
si nostromi flatrazim pulëbardhash,
që paralajmërojnë brigjet.

Fjalët e mia
arratisen mesnatës tek ty.

S’i mbaj dot, sikur bota të digjet!

****
Kur më le
ngjante si të isha
mes Akropolit,
në mbrëmje,
kur mbyllet,
pasi ikin turistët.

Vetëm.
Unë dhe antikët.

***
Një grerëz e vogël
më thith gjumin.

Dua ta mbys!
Po ku ta gjej lumin?

***
I vetmuari gjon
- “Paganini”
luan në mbrëmje
mjeshtërisht
një solo trishtimi.

Por kush e dëgjon?
Askush s’ia ka qejfin...

Mbrëmjeve
bën qejf me një jevgë,
nata do naze dhe defin.

***
Heshtja dhe Nata
kudo që shkoj
më ndjekin pas.

Të kishe lënë
për disa kohë
sobën me gaz!

***
Ishull misterioz
mendja jote.

Ndërsa ne të prisnim...

Kush “ne”?
Unë
dhe ëndrrat e mia idiote.

***
Enigmatik -
vështrimi yt.

Në çdo përkthim thonë humb
origjinali.

Në fund të fundit,
mësoj një gjuhë të dytë.

Dhe ku të dali...

***
Isha dhe unë në Jetë
dhe Të Doja
më ngjante vetja
i Pavdekshëm.

Para se të bëhem
Ajër dhe Ujë,
Shpirt i paprekshëm.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου