Παρασκευή 19 Φεβρουαρίου 2010

E mira, mikja ime!


Një kafe
me
Albana Mëlyshi-Lifschin

Je zgjuar një mëngjes me humor të kënaqshëm, moti paralajmëron ditë të këndshme dhe ti, përpara se të fillosh të përmbushësh kusuret që ke lënë për të sotmen, mbush një filxhan të madh kafeje dhe rehatohesh në ndenjësen e gjerë të verandës tënde. Në ndodh të dëgjosh këngën e kanarinës, nga ballkoni i fqinjit, aq më mirë. Nëse të mungon ky koncert, prapë ka zgjidhje. Telefoni, mbase shpikja më e mrekullueshme e njeriut. Unë kështu bëra sot në mëngjes. Nga dëshira të bisedoja me një kolege dhe mike, për të ndarë me të euforinë time, ngatërrova orët, distancat, ditënatën. I telefonova Albana Mëlyshit në Amerikë, nga Athina, qysh në pikë të mëngjesit, duke harruar diferencën e orëve. Thjesht të bënim muhabet, sa të mbaroja kafenë. E mira, mikja ime! Në vend që të më dërgonte në djall, më tha se ishte ende zgjuar (vetëtimthi sytë më shkuan nga ora e murit!) dhe pranoi me qejf, të më bënte shoqëri… në kafenë time të mëngjesit dhe unë asaj, në aspirinën e pasmesnatës…


Njerëzit… Cili tipar të pëlqen më shume tek ata?
- Sinqeriteti.

Ndërkohë, shkruan… Çfarë kërkon tek poezia?
- Shpirtin e poetit.

Ah, shpirti… Ku gjendet, ky “djall”?
- Tek sytë. Ata flasin, ata lexohen. Atyre u besoj. Syve që më fshihen, u druhem.
  
Sytë duhet të jenë mrekullia e tetë e natyrës. Meqë ra fjala për natyrën, çfarë te mrekullon më shumë nga fenoment e saj?
- Perëndimet në plazh. Zhytja e diellit në det. Për mua nuk ka peisazh më poetik. Përhumbem Brenda tij dhe s’kam të ngopur me këto çaste.
  
Veçse përmendesh sërish… Dhe shikon përpara teje përsëri, të pashmangshmit, njerëzit. Ç’i ruhesh më shumë tek ata?
- Keqkuptimeve. Njerëzit kanë prirje të besojnë, atë çka duan ata të besojnë.
Tendenca për të besuar në të keqen, shpesh është… dëfryese.

Keni kuptim paksa të çuditshëm për “dëfrimin” në Amerikë. Ç’të pëlqen tjetër atje, në “tokën e begatë”?
- Udhëtimet në mes të gjelbërimit të pafund. Vjeshta i bën të magjishme. S’kam parë pasuri kaq të madhe ngjyrash, sa ato që ka vjeshta amerikane. Çdo piktor do ta kishte zili.

Megjithë shoqërinë e vjeshtës, a je ndjerë e vetmuar ndonjëherë... në stinët e tjera? Bie fjala, gjatë dimrit amerikan, që më kanë thënë, se nuk është dhe kaq i shoqërueshëm...
- Jo. E vetmuar ndihem vetëm në mes hipokritëve. Dhe kjo ndodh, pavarësisht nga stinët.  Atëhere kërkoj e etur punën. Puna është i vetmi “shok”, që të jep kënaqësi të sinqertë, pa të kërkuar asgjë. Edhe sot, pasmesnate, kur më telefonove, isha në këtë shoqëri të ëmbël. Punoja. Dhe nuk ndjehesha vetëm…

 Doemos, jeta nuk mund të ketë vetëm kënaqësi... Neveria jote?
 - Lajkat publike. As ata vetë që i thonë, s’i besojnë. Atëhere, si dhe ku mund të më hyjnë në punë?

Ç’të nervozon tjetër? Që t’i shmangemi…
 - Mungesa e korektesës.

Oh, e shkela… Këtu jam ca defiçit. Ndonjë mësim tjetër, nga praktika?
- Të mos u dal në “mbrojtje” burrave.

Atëhere, të mbeten… gratë. Por dhe ato… Nga shiu, në breshër. Çfarë “i trembesh”  më shumë?
- Hipokrizisë dhe injorancës. Hipokritët kanë aftësi të tërheqin pas vetes injorantët - aleancë e së keqes, me prirje për të luftuar pozitiven. Dhe ke të drejtë, kjo aleancë e mbrapshtë, nuk kushtëzohet nga seksi i njeriut.

Tani, diçka filozofike, ngaqë po na mbaron… kafeja. A beson në rininë shpirtërore të përhershme e të pakushtëzuar?
Besoj në rininë shpirtërore. Është për mua një materie e prekshme. Të pakushtëzuar? Edhe lulja, që të jetojë, ka nevojë për diell dhe ujë. Shpirti ka nevojë për ngrohtësi...

Të përfitojmë nga koha: Nëse do të doje të korigjoje diçka nga vetja, cila do të qe ajo?
Të isha më e duruar.

Dhe doja të ta... thoja. Veç kësaj, çfarë të dekurajon tek karakteri?
- Heshtja, atëhere kur duhet folur.

Të kthehemi tek “e keqja” e pashmangshme: Burrat (me dy “r”). E di, e di... Temë... bozë. Jam kurioz, çfarë do të vlerësonit më shumë tekata?
- Integritetin!

Oh, kjo më ngja pak si shumë zyrtare. Si të jem në zyrat e komunitetit evropian. Po tek gratë?
- Mungesën e xhelozisë.

Duhet të të bëjnë një ikonë me ngjyra, gjithë burrat. Me që ra fjala tek ngjyrat, cila është më e preferuar për ty?
- E kaltra, e bardha, e kuqja.

Shumë the, një të pyeta… Meqë e do në “shumës”, cilat gjellë preferon më tepër?
- Këtu e kam në “njëjës”: Byreku me spinaq.

Nga frutat?
- Shalqini.

Je ende e re… Gjithë ëndrra dhe pasion për të ardhmen. Megjithatë, diçka mbetet e pakryer. Çfarë?
Udhëtimet nëpër botë.

Je e rrethuar nga miq të përbashkët, kaq të shtrenjtë, aq sa më ngjall zili. Këshilla që ke marrë nga shoqëria?
- “Ke sinqeritet gati të pakonceptueshëm... duhet ta kufizosh ”.

Edhe ata... alkolin. Këshilla lidhur me shoqërinë?
Gjyshja më thosh: “Shokët gjeji si veten ose më të mirë se veten. Mba pak e sak(t)”.

Shyqyr që gjyshja nuk u bë... shkrimtare, si ti. Lavdia është kaq e paktë... Nga kultura amerikane, që është e shumtë, ç’këshillë ke marrë?
 ”Mos i jep këshillë tjetrit, po nuk ta kërkoi…”

… do të desha ta vazhdoja gjatë këtë bisedë me miken dhe kolegen e shquar, Albana Mëlyshi Lifschin… Më shijoi. Më shumë se kafeja. Filloi dhe një fllad i ëmbël mëngjesor… Por s’qe e thënë. Kënaqësitë e kanë një mbarim. Të gjitha. Nga brenda, nga thellësia e dhomave të gjumit, u dëgjua zëri mëngjesor i sime shoqeje: “Ke marrë qumësht për vajzën?”


Intervistoi:
Grigor Jovani

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου