Κυριακή 7 Φεβρουαρίου 2010

CLEZO - bohemi, që kaloi portën e rëndë të Akademisë Suedeze

Pak kohë më parë, tek lexoja një koment të një vajze letrare në njerën nga dritaret më të njohura internetike shqiptare, u shkriva gazit. Kujtoni ç’thoshte e reja simpatike e letrave: “Kërciku i femrës është shumë i kufizuar dhe aspak për faj të saj, por për faj të fatit. Gjenitë kanë qëlluar krejt burra (uh, sa inat i kam!)”.
Ç’t’i thuash kësaj vajze! Si t’i përballesh sinqeritetit dhe sofizmit të saj?
Pasi mbaron së qeshuri, mendohesh: vërtet, ashtu duhet të jetë! Gjer edhe përjashtimi i sentencës, fituesja e parvjetshme e Nobelit, britanikja Doris Lesing, e kaloi portën e rëndë të Akademisë Suedeze atëhere kur nuk donte, në moshë krejt të thyer, kur i binte rëndë të shkonte gjer tek tregu në qoshe, për të psonisur, jo më të shkonte gjer në fjordet e largëta suedeze, për të qëndruar kaq kohë poshtë prozhektorëve... Sikur ta kishte profitizuar, vajza letrare e internetit, çdo të ndodhte ca ditë më vonë! Njeri prej atyre “gjenive”, që ajo i kishte kaq inat, frëngu Jean Mari Gustave Le Clezo (o zot, si mos të të ndezë llambushkat e inatit ky frëng, qoftë edhe për shkak të emrit të tij kilometrik!), kaloi edhe ai portën e rëndë të Akademisë Suedeze. Kjo ndodhi parvjet, kur shkoi për të marrë në dorëzim Nobelin e shumëndërruar të letrave, që të rendit automatikisht, si me magji, në rreshtin e madh të gjenive.
Nëse do të kërkonim, për hatër të vajzës në fjalë, ndonjë të dhënë lehtësuese për këtë “uzurpator” të ri të lavdisë, do të mbeteshim gojëhapur nga ato ç’ka do të mësonim.



“Shkrimtar nisjesh të reja,
aventurash poetike dhe shpërthimesh estetike,
zbulues i një bote përtej dhe poshtë qytetërimit zotërues”.

- Nocioni i Akademisë Suedeze për fituesin e Nobelit të letrave:
Jean Mari Gustave Le Clezo -

“Gjeniu” i ri nuk u ngjaka atyre klasikë. Frëngu Clezo i letrave qenkërka tipi që ëndërrojnë netëve pikërisht vajzat e tilla romantike: një bohem shtegtar, mik udhëtimesh të vetmuara, që zgjatin një jetë të tërë. Ja ç’pohon për të një bohem tjetër frëng, jo i letrave por i politikës, Presidenti i tanishëm francez, Nikola Sarkozi: “Djalë në Mauricio e Nigeri, adoleshent në Nice, nomad në shkretëtirat amerikane dhe afrikane, Clezo-ja është një qytetar i botës, bir i të gjitha kontinenteve dhe i të gjitha kulturave. Një shtegtues i madh, i cili përcjell kulturën dhe vlerat frenge në botën multikulturore”. Kozmopoliti tjetër frëng i politikës dhe artit, ministri i jashtëm Bernar Kushner (aq i njohur dhe i vlerësuar edhe nga ne shqiptarët) i bën këtë skicim Clezo-së: “Nga Albukerki gjer në Seul, nga Nju Jorku gjer në Panama, nga Londra gjer në Lagos, Jean Mari Gustave Le Clezo jeton, udhëton, vëzhgon dhe dashuron një numër të madh vendesh, popujsh dhe kulturash”. Po t’u shtosh këtyre gjykimeve edhe portretizimin që i bën këto ditë shkrimtarit gazeta e madhe “Liberation”: “I gjatë, bjond, sykaltër, fotozhenik dhe me shtatin e një kauboi elegant”, atëhere mund të thuash me plot gojën, se është pikërisht njeriu që mund të thyente kanunin: edhe bohemët mund të kapërcejnë portën e rëndë të një akademie.

***
Jean Mari Gustave Le Clezo u lind më 13 prill 1940Nice të Francës, nga prindër që kishin shtetësinë britanike, me origjinë nga ishulli i Mauricios, më parë koloni frënge e më pas britanike, për të cilin Mark Twev kishte thënë: “Më parë se të lindte parajsa, lindi ky ishull”. Vetëm 8 vjeç largohet nga ishulli për në Nigeri, ku i jati do të shërbente si mjek kirurg në trupat britanike, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht këtu, gjatë atyre viteve dhe relieveve të trazuara, lindi talenti i tij letrar, të cilin filloi ta shprehë në të dy gjuhët, në amësoren frënge dhe në të detyrueshmen angleze.
Më 1950 u kthyen familjarisht në Nice, ku do të mbarojë studimet bazë. Studion mëpastaj anglishten në Universitetin e Bristolit dhe në vazhdim diplomohet për filologji në College litteraire Universitaire të Nices. Studimet pasuniversitare i ndoqi në Universitetin e Provansës, kurse doktoratën e mbrojti në Perpinian me temë historinë moderne të Meksikës.
Pas studimeve u vendos në SHBA.
Dy ishin pasionet e tij të jetës: shkrimi dhe udhëtimet. Që të dyja i shijoi si rrallëkush. Botoi mbi 30 libra, duke lëvruar gati të gjitha gjinitë. Hyri me kaq vrull dhe kompetencë në letërsinë frënge, sa qysh më 1963 kishte fituar Çmimin “Renonto” për romanin e tij të parë “Le Proces Verbal”, i cili ishte edhe kandidat për Çmimin “Gonkur”. Libri më i rëndësishëm i Clezo-së është padyshim “Shkretëtira” (Desert), që u botua më 1980 dhe u përkthye anekënd botës. Ky libër u nderua me Çmimin e Madh Pol Moran të Akademisë Franceze.
I shkojnë Akademitë Clezo-së...
Më 1994, kur periodiku letrar “Lire” anketoi se kush ishte shkrimtari më i rëndësishëm bashkëkohor frëng, 13% e të anketuarve treguan Clezo-në si shkrimtarin frangofon më të rëndësishëm të kohës sonë.
Udhëtoi dhe njohu të gjithë kontinentet. Ka qenë lektor në Universitetet e Bangkokut në Tajlandë, në atë të qytetit të Meksikos, ka mbajtur katedrat universitare të Bostonit, Ostinit dhe Albukerkit.
Një kozmopolit me patentë.
Nuk mund ta ndërronte kozmopolizmin, as në jetën e tij private. Është martuar me marokenen Xhemia dhe ka lindur me të dy vajza. E ndan kohën e tij mes Albukerkit, Meksikës, ishullit Mauricios dhe Nices.
Kësisoj, në dy vende rri më rehat se kudo gjetkë: në ndenjësen e aeroplanit dhe para tryezës së tij të shkrimit.

***
Megjithatë, duhet pohuar se zaret në “kazinon” e famshme suedeze të letrave bënë si gjithmonë “kapriçon” e tyre, treguan edhe asaj here një emër surprizë. Në një kohë kur në rang evropian agjencitë më të njohura të basteve prononconin emra të tjerë për Nobelin e sivjetshëm, kryesisht atë të japonezit Haruki Murakami dhe të amerikanit Filip Roth.
Por dielli nuk lindi as në Lindjen e Largët e as në Botën e Re.
Zari ra mbi emrin e një frëngu, 68 vjeçarit prozator dhe poet, Jean Mari Gustave Le Clezo. Pas 23 vjetësh, qyshkurse e kishte fituar Klod Simon më 1985, Nobeli shkoi përsëri në Francë. Guri i rëndë gjeti vendin e vetë, atdheun letrar të Molierit. (Nuk do të desha të përfshija në këtë listë edhe frangofonin Gao Xinjang, i cili fitoi Nobelin në vitin 2000, pasi e drejta thotë se ai i takon letërsisë kineze).
Nënteksti ishte i qartë: Nobelin nuk mund ta merrte atë vit assesi sivjet një amerikan, qoftë ky edhe Filip Roth, i cili ka vite që kandidaton në këtë garë gjigandësh. Zaten, e kishte deklaruar haptazi Oratio Egdal, sekretari i përhershëm i akademisë suedeze, pak ditë para shpalljes së fituesit: “Letërsia amerikane është mbyllur tek vetvetja. Shkrimtarët amerikanë tregojnë ndjeshmëri të tepruar tek çështjet që kanë të bëjnë me kulturën e tyre. Nga ana tjetër, në Amerikë përkthehen pak libra të letërsisë së huaj”.
“Ndodhi ajo që kishim frikë se do ndodhte”, deklaruan plot pezm pas shpalljes së Nobelit përfaqësuesit e “bookmakers”-ve të Londrës dhe të Nju Jorkut. Doemos, në kulturë ndodh si në sport: nuk fitojnë gjithmonë të shumëreklamuarit. Arti luan me ligjet e veta, të nëndheshme. Pikërisht për këtë, për atë kulturë poshtë sipërfaqes, të cilës iu përkushtua dhe e pasqyroi Clezo-ja në veprën e tij kozmopolite, u nderua me Nobelin e letrave.

***
Lajmin e madh për triumfin e tij të sivjetshëm, Clezo-ja e mori telefonikisht, nga përfaqësuesi i Akademisë Suedeze, teksa ishte duke lexuar një libër. Dhe nuk u shtir, nuk e fshehu gëzimin e madh, as nuk u tregua snob, siç bëri vjet zonja e rëndë Lesing, që kujtoi se asnjë shkrimtar nuk kishte bërë pothuajse asgjë me vlerë, qyshkur kishte fituar Nobelin.
Clezo deklaroi se ndjehej shumë i emocionuar (çudi, pas kaq emocionesh prej bohemi shtegtar, që kish provuar në jetën e tij!) dhe nuk i durohej sa të gjendej më 10 dhjetor në Stokholm, për të marrë Çmimin dhe honorarin e 1,4 milionëve. Në fakt, Stokholmi i shkon Clezo-së. Më 25 tetor iu dorëzua po këtu Çmimi Stig Dagerman. Natyrisht, me honorarin përkatës...
Veçse festa e madhe ishte kur shtegtari i përjetshëm, Jean Mari Gustave Le Clezo, ky Marko Polo-ja i kohës sonë, hyri me kostumin e tij prej kauboji në sallën mondane të Akademisë Suedeze. Në të dalë, kishte me vete në njerin xhep statujëzën e vogël të Nobelit, kurse në xhepin tjetër 1,4 milion euro (për inat të asaj çupe , që qahet në internet se nuk i duron gjenitë). Ma do mendja se do ketë ndryshuar më së fundi edhe mendimi i saj:
Nuk janë dhe kaq të papranueshëm burrat gjeni, aq më shumë kur kanë talent, hijeshi dhe janë të pasur.
GRIGOR JOVANI

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου