Τετάρτη 17 Φεβρουαρίου 2010

RIDVAN DIBRA - Bashkëstudenti dhe miku im i dashur, mikpritur në "punishten" time

U lind në Shkodër më 1959. Është rritur e shkolluar në vendlindje, ku u diplomua për gjuhë shqipe e letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Ka punuar arsimtar në Kukës (82-87) dhe gazetar në Shkodër (88-94). Aktualisht është pedagog i letërsisë shqipe në Universitetin e Shkodrës. Krijimtaria e tij është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përkthyer në gjuhët gjermane, italiane, maqedonase dhe malazeze.
Botimet:
“Thjesht” (poezi -1989), “Prostituta e virgjër” (tregime – 1994), “Eklipsi i shpirtit” (tregime – 1994), “Nudo” (roman – 1995), “Vetmia e diellit” (parabola – 1995), “Mjerimi i gjysmës” (novela – 1996), “Kurthet e dritës” (roman 1997), “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” (roman – 1999), “Stina e ujkut” (roman – 2000), “Të lirë dhe të burgosur” (roman 2000), “Vëlla me centaurët” (parabola – 2002), “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë” (roman – 2002), “Email” (roman – 2003).


Zajet
( Poemë )

1.
Të njohësh njerëzit nuk do të thotë se ke njohur njeriun
Të njohësh njeriun nuk do të thotë se ke njohur njerëzit,

Zajet mërmërojnë mistershëm mbi e nën këmbët e mia.

2.
Të jesh shkëmbi nuk do të thotë të jesh i përjetshëm
Të jesh rëra nuk do të thotë të jesh i përkohshëm,

Zajet në mes vuajnë mundësinë e zgjedhjes.

3.
Të rrish me të tjerët nuk do të thotë të mos jesh vetëm
Të rrish vetëm nuk do të thotë të mos jesh me të tjerët,

Zajet i druhen dallgës porsi fatit të pritshëm.

4.
Të jesh klithma nuk do të thotë të mos jesh mllefi
Të jesh mllefi nuk do të thotë të jesh edhe klithma,

Zajet nxjerrin tinguj nën harpën e erës.

5.
Të kesh një fytyrë nuk do të thotë të mos fshehësh një mijë të tjera
Të kesh një mijë fytyra nuk do të thotë të mos fshehësh vetëm një,

Zajet e përçmojnë krenarinë e shkëmbit.

6.
Të jesh i njëjtë nuk do të thotë të ngjasosh
Të ngjasosh nuk do të thotë të jesh i njëjtë,

Zajet e përçmojnë nënshtrimin e rërës.

7.
Të jesh trëndafili nuk do të thotë të mos kesh gjëmba
Të kesh gjëmba nuk do të thotë të jesh trëndafili,

Zajet lënë gjurmë mbi trupat lakuriq.

8.
Të njohësh veten nuk do të thotë të mos njohësh të tjerët
Të njohësh të tjerët nuk do të thotë të njohësh veten,

Zajet e vuajnë harresën e gjuhës.

9.
Të jesh heshtja nuk do të thotë të mos jesh fjala
Të jesh fjala nuk do të thotë të mos jesh heshtja,

Zajet kujtojnë stuhitë që kaluan.

10.
Të jesh iluzioni nuk do të thotë të mos jesh e vërteta
Të jesh e vërteta nuk do të thotë të mos jesh iluzioni,

Zajet ngrohen nën dritën e hënës.

11.
Të jesh gjarpëri nuk do të thotë të mos kesh helmin
Të kesh helmin nuk do të thotë të jesh gjarpëri,

Zajet fërgëllojnë nëpër duar njerëzish.

12.
Të jesh akulli nuk do të thotë të mos jesh edhe zjarri
Të jesh zjarri nuk do të thotë të jesh edhe akulli,

Zajet mardhin nën dritën e diellit.

13.
Të kesh dy sy nuk do të thotë të mos jesh i verbër
Të jesh i verbër nuk do të thotë të mos kesh tre sy,

Zajet neveritur nga të qënit shumës.

14.
Të jesh dashuria nuk do të thotë të mos jesh edhe falja
Të jesh falja nuk do të thotë të jesh edhe dashuria,

Zajet përpëliten pareshtur pranë shkëmbit.

15.
Të jesh viktima nuk do të thotë të mos jesh edhe gjahtari
Të jesh gjahtari nuk do të thotë të mos jesh edhe viktima,

Zajet shkëmbi uji era rëra.

16.
Të jesh fëmija nuk do të thotë të mos jesh edhe plaku
Të jesh plaku nuk do thotë të jesh edhe fëmija,

Zajet përzënë guaskat e çara.

17.
Të jesh fluturimi nuk do të thotë të mos jesh edhe zvarritja
Të jesh zvarritja nuk do të thotë të jesh edhe fluturimi,

Zajet fluturojnë mbi kurrize ujërash.

18.
Të jesh çasti nuk do të thotë të mos jesh edhe përjetësia
Të jesh përjetësia nuk do të thotë të mos jesh edhe çasti,

Zajet si yjet ndrijnë nëpër netë.

19.
Të jesh liria nuk do të thotë të mos jesh edhe burgu
Të jesh burgu nuk do të thotë të mos jesh edhe liria,

Zajet janë monedhat e zhvlerësuara.

20.
Të jesh ëndrra nuk do të thotë të mos jesh edhe zgjimi
Të jesh zgjimi nuk do të thotë të mos jesh edhe ëndrra,

Zajet janë gjethet që vjeshta ka shkundur.

21.
Të jesh terri nuk do të thotë të mos jesh edhe drita
Të jesh drita nuk do të thotë të jesh edhe terri,

Zajet në çdo stinë janë tjetërlloj.

22.
Të jesh vyshkja nuk do të thotë të mos jesh edhe gjelbërimi
Të jesh gjelbërimi nuk do të thotë të jesh edhe vyshkja,

Zajet vuajnë mungesën e trungut.

23.
Të jesh triumfi nuk do të thotë të mos jesh nënshtrimi
Të jesh nënshtrimi nuk do të thotë të mos jesh triumfi,

Zajet të etur për një dorë fëmije.

24.
Të jesh fara nuk do të thotë të mos jesh edhe fruti
Të jesh fruti nuk do të thotë të jesh edhe fara,

Zajet i josh e i tremb deti.

25.
Të jesh thalbi nuk do të thotë të mos jesh edhe lëvozhga
Të jesh lëvozhga nuk do të thotë të jesh edhe thalbi,

Zajet diku treten pa ndërruar emrin.

26.
Të jesh fillimi nuk do të thotë të mos jesh fundi
Të jesh fundi nuk do të thotë të mos jesh fillimi,

Zajet dhe era dhe deti dhe rëra.

27.
Të jesh harresa nuk do të thotë të mos jesh kujtesa
Të jesh kujtesa nuk do të thotë të mos jesh harresa,

Zajet lakmojnë rrënjët e shkëmbit.

28.
Të jesh fitorja nuk do të thotë të mos jesh humbja
Të jesh humbja nuk do të thotë të mos jesh fitorja,

Zajet të harruar mes bregut dhe ujit.

29.
Të jesh fati nuk do të thotë të mos jesh mallkimi
Të jesh mallkimi nuk do të thotë të mos jesh fati,

Zajet të ndryshëm edhe rrallë të ngjajshëm.

30.
Të jesh vdekja nuk do të thotë të mos jesh jeta
Të jesh jeta nuk do të thotë të mos jesh vdekja,

Zajet.

Shkurt, 2000

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου