Τρίτη 16 Φεβρουαρίου 2010

Epidemi në kohë të kolerës


U gjenda edhe unë përballë diskutimit publik të ditëve të fundit, në blogsferën internetike të diasporës shqiptare, por edhe në shtypin veçanërisht të ndjeshëm të Atdheut (për sa i përket moralit), rreth jehonës që kishte bërë deklarata “jozyrtare” (një shaka fluturake, si të puthurat që japin gjimnazistët) e Berluskonit, gjatë konferencës zyrtare të shtypit me homologun e tij shqiptar, Berisha, që mikpritej ato ditë në Italinë fqinje dhe mike. Do s’do, bëhesh pjesë e lojës, pasi “ky stan (gazetaria virtuale), këtë bulmet ka”.


Fillimisht, i mësuar tashmë me stilin politik të Kryemistrit italian, e quajta një zhvillim krejt të natyrshëm “provokacionin”  e tij "antimoral", ndaj shefit të politikës së moralshme aktuale shqiptare. Do të më çudiste e kundërta. Po mos të bënte atë që bëri, pranë Berishës do të qe ndonjë tjetër, jo Berluskoni, që në një konferencë tjetër  zyrtare shtypi, i tha Rasmunsenit, shefit të tanishëm të NATO-s, kur ky i fundit ishte kryeministër i vendit të tij dhe vizitonte zyrtarisht Italinë: “Qenke burrë i pashëm, or mik! Me ty duhet të kishte lidhje ime shoqe, jo me atë shëmtaraqin e së majtës...”. Dhe të mendosh, se akoma nuk ishte ndarë me Veronikën...  “Kavaliere”-ja i vërtetë ishte ai, që bëri ish presidenten finlandeze, atë dymetroshen e gjatë dhe të pashme, të ndërpriste vizitën e saj zyrtare në vendin e Apenineve, zyrtarisht për “shkaqe personale”, që më vonë u deshifruan me të vërtetën e shprehur në zhargonin e përditshëm: “Silvoja i kishte futur duart...” Gjer edhe për kryeplanetarin Obama, kryeitaliani politikan kishte konstatuar “zyrtarisht”: “Më duket, se ai ka qëndruar më gjatë se ç’duhet nën diell...” Veçse reagimet ndaj këtyre “krimeve” diplomatike të Berluskonit, prej tërë italianëve (të cilëve iu fye morali bashkëshortor), prej tërë finlandezëve (të cilët e ruajnë kaq shumë moralin e politikanëve të tyre, saqë kanë zgjedhur tashmë në kryepostet politike edhe përfaqësuesit e bashkësisë së homoseksualëve të shpallur) dhe të gjithë amerikanëve (ngaqë askush nuk lejohet të tallet, me teshat që nder tjetri në oborrin e vetë), ishin shumë më të pakta se reagimet në kor të shqiptarëve, të cilët kanë tani një javë, që nuk po e rreshtin fushatën antiberluskoniane.

E gjithë kjo, nga ana jonë, për hir të moralit!


Të kujt moral?! Seriozë jemi?! Jetojmë si vend kohën e moralit?! Të më falni, por unë (si person) kam mendim tjetër, ngaqë e kam të ndaluar rreptësisht nga mjekët, të më ngrihet tensioni. Dhe a mund të ketë njeri (normal, jo i sëmurë si unë), që duke ndjekur jetën politike dhe shoqërore shqiptare, të mos i ngrihet, të paktën, tensioni? A ka në Evropë shumë vende të tjera, ku morali të ketë zënë për fyti kombin e tërë dhe t’i mohojë, kaq paturpësisht, qoftë edhe frymëmarrjen? I keni parë, zotërinj dhe zonja të zemëruara të vendit tim, statistikat evropiane të prostitucionit? Doemos, i keni parë dhe i keni dëgjuar (ne të mediave bërtasim gjithmonë, ngaqë dimë dhe shohim), aq sa keni zënë gojën me pëllëmbë prej bohës së realitetit dhe, më të paktën, keni marrë ilaçe për zemrën e plagosur prej... moralit tonë të dekompozuar.


Bën për ilaç patriotizmi dhe morali i hiperbolizuar? S’e kam fjalën për gjumin...


Meqë bëjmë fjalë për moralin tonë provincial, m’u kujtua diçka prej realitetit grek, shprehur nga gazetari, akademiku dhe letrari i shquar i ditëve tona, Niko Dhimu, në një satirë të afishuar në blogun e vetë (nga më të njohurit dhe më të vizituarit të blogsferës greke). Thotë: “Në provincë tashmë është në modë një mani e re. Zengjinët e rinj kanë qejf të blejnë me dyzina të përbrendshme për zonjat e tyre. Që t’ua shqyejnë (!!!) Kështu bëjnë qejf...”. (Ju kujtohet ish kryeministri ynë Nano, që hidhte mbi kabarexhutë e Selanikut dhe të Athinës dyzina buqetash me lule, apo service të tëra pjatash, sipas zakonit të provincialëve zengjinë grekë? Diçka e tillë... - shënimi im G.J.) Dhe lëshon një atakë të tmerrshme, pas këtij rrëfimi, akademiku Dhimu, që u bë pastaj lajtmotivi i të gjithëve:


“Kë të shqyejnë?! Të stërshqyerat?!”


Bashkëatdhetarë, greku e pati këtë kurajë. Ne e kemi, që të pyetemi: ç’moral të mbrojmë, të shpartalluarin?


Tani, më thoni: Berluskoni e paska marrë në qafë moralin tonë?  Do të fshehim pyllin, pas shkurreve? Po kështu nuk bëjmë gjë! Kështu u ngjajmë grekërve të tanishëm, që ndonëse ekonomikisht janë në buzë të greminës dhe nuk u jep njeri dorën, megjithatë i preokupon problemi: “Grek lindesh, apo bëhesh?” Dhe jepi, manifestime, deklarata, sumpoziume, diskutime në Parlament. Ballkan hesapi!


Edhe ne...


E para gjë që më vjen të them, të dashur kolegë, është kjo: “Ore, nuk i lemë këto!” Fshati digjet, putana krihet! Nuk shikojmë, që nuk kemi të hajmë, të lahemi dhe të ngrohemi, “shakatë e krypura të Duçes”, siç thoshte i madhi Luca, na prekën sedrën tonë.  E po mirë, nëse nuk u dashka ta lëmë kaq lehtë këtë “epidemi të re në kohë të kolerës”, hajt ta zëmë nga fillimi. Ç’tha Berluskoni?  “... Për ata që na sjellin vajza të bukura, a mund të bëjmë përjashtim?”  Pyeti Berishën, ashtu “fluturimthi”, sipas zakonit të tij, për të krijuar, gjithmonë sipas stilit të tij (me të cilin nuk janë dakord shqiptarët, që ishin dakord gjithmonë, megjithatë, me të gjitha ndihmat italiane, që firmoste Berluskoni) një atmosferë “të gëzuar”. Mbase budallallëk, mbase shaka e pakrypur, por jo ama dhe t’i kërkohet të “deponojë” në gjyqin politik dhe moral, që i ngritëm ne, në blogjet tona internetike dhe në faqet e shtypit të përndjeshëm të Tiranës. Atëhere, të kthejmë edhe ne mbrapsht ndihmat që na ka dhënë, me të cilat kemi zbukuruar jetën e bijave dhe motrave tona të shëmtuara (nëse i duam kështu, për të mbrojtur moralin). Na mjaftojnë ato, që na kanë dhënë të tjerët, të cilët kanë bërë kujdes për moralin tonë. Të ngopemi dhe të zbukurojmë jetën tonë, paskëtaj, me moralin që na ka mbetur...


E pashë vetë gjithë këtë skenë të përfolur, falë gatishmërisë profesionale të kolegut të nderuar A. Vigani, që i serviri blogsferës internetike “krimin” shakator të kryeministrit italian ndaj shqiptarëve. Dhe pse ta fsheh: u shkriva në gaz! Shumë zhurmë, për asgjë! Biles, m’u bë qejfi, që me mua, shqiptarin, Silvoja ka qejf të flasë “jashtë protokollit”. Fqinj jemi! Preferoni seriozitetin e Merkelit dhe korrektësinë e Braunit? Ngopesh me to? I plotësojnë ata kriteret e blogsferës internetike dhe mediative shqiptare? Ah, po, ruajmë moralin...


Apo është ndryshe? Përse nuk pyesim edhe Kryeministrin Berisha, i cili është verior nga origjina, kur dihet që në vendin e Kreshnikëve, nuk të falin për nder dhe moral. Mbase jam i gabuar, por në vidion në fjalë, pashë se Berisha u gjend në një ambjent “komfort” paskësaj, për të vazhduar më tej dialogun miqësor me mikpritësin. Apo mos “në shtëpinë e të varrurit, nuk kujtohen litarët”? Thua të jetë kaq pehlivan doktori? Thua ta kishte kuptuar edhe tropojani, atë që nuk e kuptuan dot gjithë ata që përgatitën aktakuzën për Berluskonin, se:

“në shtëpinë e të varrurit, nuk akuzohen litarët dhe trarët e shtëpisë së mikut, ku gjeti të varret njeriu (morali) ynë”.


Si thoni, vëmë dikë tjetër në bangën e akuzës, gjatë gjyqit për moralin tonë?
GRIGOR JOVANI

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου