Para pak kohësh përjetova një ngjarje të madhe, nga ato që fati na i afron “me pikatore”, aq sa, kur na ndodhin, lutesh që të zgjatin sa më shumë. Nuk është gjë e vogël të jesh brenda një salle, ku bashkëbisedon me ty dhe me të tjerët një poet nobelist, nga ata, që ndonëse në të gjallë të tyre, janë shndërruar në legjendë. Aq më shumë që sot mungojnë në këtë vend Seferis dhe Elitis. Pata fatin të gjendem tek madhështori “Megaro Musiqis” në Athinë, ku në kuadrin e programit supersticioz “Megaron Plus”, foli njëri nga poetët e sotëm më të rëndësishëm botërorë, Derek Ualkott.
“Mbart shtëpinë time brenda vehtes,
kudo që të gjendem”.
DEREK WALCOTT
Është lindur më 1930, në një ishull të largët dhe të vogël të Indive Perëndimore, në Santa – Luçia. Përbërja multikulturore e këtyre ishujve të Karaibeve - popullsia e tyre u krijua prej emigrimeve të njëpasnjëshme historike nga Afrika Perëndimore, India dhe Kina – ndikoi së tepërmi në krijimtarinë e begatshme të Ualkott-it. Këtë fakt të pamohueshëm e kanë shprehur fjalët e poetit tjetër të madh, Xhozef Brondsk-it, që është njëri nga miqtë e afërt të tij: “Nëse Kolombi zbuloi Inditë Perëndimore dhe anglezët i kolonizuan, Ualkott-i i përjetësoi me poezinë e tij”.
Fitoi njohjen ndërkombëtare më 1962 me botimin e përmbledhjes poetike “In a Green Night”. Fitoi shumë çmime dhe vlerësime të rëndësishme ndërkombëtare, me më kryesorin Çmimin “Nobel” për letërsinë, më 1992.
Është po kaq i njohur edhe në dramaturgji dhe regjisurë. Vepra e tij e fundit teatrale “The Odyssey – A Stage Version”, njohu sukses ndërkombëtar dhe u ngjit në skenat më të rëndësishme të Londrës dhe Nju – Jorkut, ku u prit me drithirambe nga artdashësit dhe kritika perëndimore.
Shkruan në anglisht dhe në dialektin e vendlindjes dhe këmbëngul se është i mundshëm një “vështrim i përbotshëm në horizontin vendas”.
10gjërat që duhet të dini për
Derek Ualkott-in:
1.Vendlindjen e poetit, Santa – Luçian, e zbuloi së pari Kristofor Kolombi, më 1502, ditës e festës së Shën Luçias. Ai vetë e pagëzoi këtë ishull me emrin e shënjtores. Bukuritë natyrore, por sidomos rëndësia gjeopolitike, e shndërruan herë pas here ishullin në mollë sherri midis superfuqive të kohërave të ndryshme. Tre herë ndërroi kolonizatorë, nga spanjollët, tek francezët, më vonë tek anglezët dhe anasjelltas. Për këtë shkak, në dialektin e vendasve, ishulli quhet edhe “Helena e bukur e Karaibeve”, duke nënkuptuar mbretëreshën e lashtë të Spartës.
2.Është cilësuar “Uollt Uitman-i i Karaibeve” dhe “Poeti më i mirë anglofon i epokës sonë”.
3.Poeti më i dashur i Uallkott-it është Homeri. Prandaj dhe vepra e tij më e shquar është poema epike “Homeri”, e cila i kalon të 300 faqet. Ajo u botua më 1990 dhe i dhuroi “Nobel”-in letrar të Stokholmit dy vjet më vonë.
4.E veçanta e tij artistike, atë që vetë Uallkott-i e quan “skizofrenia midis dy stileve”, është një mpleksje e ndikimit perëndimor, me trashëgiminë kulturore të Karaibeve. Në vjershën e tij të njohur “Ikja e galerës”, duke bërë portretin e vetvetes, shkruan: “Nuk jam veçse një arap i kuq, që dashuron detin, / brenda kam hollandezin, anglezin dhe arapin / ose s’jam askush, ose jam një komb”.
5.“Thashë Homeri dhe o-ja m’u duk se doli nga një fyell i lashtë grek” – u shpreh poeti në Athinë. Këtu s’u bën qejfin grekëve. Në shumë poezi, stili i tij, për nga forma, ngjason me jonizimin e tingujve të organeve muzikore të periudhës homerike.
6.Ka dhënë leksione mbi poezinë dhe teatrin në shumë universitete të njohura anekënd botës, përfshirë ato të Geil-it dhe Harvard-it. Aktualisht jep leksione në Universitetin e Bostonit dhe e ndan kohën e tij midis SHBA-së dhe Santa – Luçias.
7.U shpall Anëtar Nderi i Katedrës së Gjuhës Angleze dhe Filologjisë të Universitetit të Athinës, në një ceremoni të posaçme, ku morën pjesë personalitetet më të rëndësishme të kulturës greke.
8.Ministri grek i Rendit Publik Viron Polidoras vuri në shërbim të poetit nobelist makinën zyrtare të shërbimit, që ta shpinte prej hotelit, në takimin e “Megaro Musiqi-s”, për arsye se Athina ishte e “paralizuar” nga një grevë e përgjithshme mbarëkombëtare.
9.Shpesh, në veprën e tij, bisedon nëpërmjet fantazisë së tij me poetë nobelistë, që nuk janë në jetë. Janë të njohura mesazhet e tij filozofike nëpërmjet bisedave të imagjinuara me poetin tjetër nobelist Saind Xhon Pers-i. Tek poezia “From this far”, Uallkott-i “bashkëbisedon” me nobelistin grek Jorgos Seferis dhe ky i fundit i thotë fjalët, që mbetën proverbiale: “Në dherat e ishujve tanë, nuk ka perëndi të vdekura”.
10.Ualkott-i është edhe një piktor i suksesshëm dhe njohës i thellë i këtij arti, nga Rilindja Evropiane gjer në ditët tona.
Dashuri dhe dashuri prapë
Do të vijë një kohë
kur i mrekulluar
mirseardhjen do t’i dhurosh vetvetes,
si të kesh mbërritur në portën tënde,
tek pasqyra jote,
dhe njëri buzëgaz do të mikpresë tjetrin,
“ulu këtu” do t’i thotë. Ha!
Sërish do ta dashurosh të huajin, që të ishte vetja.
U linda në Jorgucat të Gjirokastrës më 1959. U rrita në Laç. Studiova Filologji. Pasi punova për dy vjet mësues letërsie në Mirditë dhe Krujë, deri sa u largova nga Shqipëria kam qenë gazetar profesionist. Prej vitit '91 jetoj familjarisht në Athinë, ku jam marrë me shtypin e emigracionit. Kam qenë në kohë të ndryshme kr/redaktor në gazetat "Zëri i emigrantit", "Rilindja XXI", "Tribuna", në revistën "Pelegrini" dhe drejtor i gazetës "Albanews". Aktualisht, shkruaj letërsi dhe botoj e drejtoj revistën letrare dhe artistike "Pegasi".
“Grigor Jovani ka lindur “Ditën e Gënjeshtrave”, për të thënë në poezi Të Vërtetën”.
NAUM PRIFTI
(Nju Jork)
“Është vështirë të gjesh gjetkë një pikëtakim të tillë, të cilin edhe Morrisey i Madh i lirikës do ta kishte zili. Është fjala për pikëtakimin tipik të poetit Grigor Jovani, i cili vjen mitik në poezinë e tij. Jovani del nga kuadraturat ballkanase dhe krijon anën pikëtakuese Perëndimore, duke sfiduar parësoren dhe duke i dhënë shans dytësores”.
FATMIR TERZIU
(Londër)
“Sjell vlera të mrekullueshme ky poet i vërtetë. I hoqa mënjanë, mezi kursehen në këto kohë. T’i kem aty, kur shpirti të ndjejë dimër...”.
FARUK MYRTAJ
(Toronto)
“Mund të them pa frikë se shtëpinë vjershave ua ke ndërtuar me gurë të skalitur, betonarme, që nuk e shembin dot as breshëri, as dëbora e tufani dhe as tërmeti me nëntë ballë. Shtëpia e vjershave të Grigor Jovanit qëndron e fortë dhe e patundur në mjedisin e poezisë më të arrirë shqipe”.
HYSKË BOROBOJKA
(Tiranë)
“Unë, që zakonisht ruhem nga superlativat, pasi lexoj poezitë e tua, them që je poet i mrekullueshëm, Grigor, gjithnjë befasues. Je poet i lindur, vllajo!”
ALBANA MËLYSHI-LIFSCHIN
(Bruklin)
“Poezia e Grigorit ka një qartësi që të habit me reflekset e dritëzave, nga përthyerjet në prizmat poetik dhe jetësor. Syri i hollë vëzhgues, depërtimi në labirinthet dhe të fshehtat e shpirtit të njeriut, veshja me një vello të butë hënore e motiveve jetësore, të ngritura në art, i japin poezisë së tij brishtësi, freski dhe veçanti”.
MYSLIM MASKA
(Athinë)
“Ndihem e respektuar dhe shumë e kënaqur me poezitë e Grigor Jovanit. Mundësisht, sa më shumë prej tyre, aq më ushqim për shpirtin. Më pëlqen, sepse shpesh ajo më ngjan me reflekset e asaj copëze kristali, që duke e vështruar, të krijohet përshtypja se brënda kësaj mase të magjishme do gjesh labirinthe pafund ndriçimesh.”.
LINDITA AGOLLI
(Tiranë)
“Vërtet të bukura poezitë e Grigor Jovanit. Të mrekullueshme! Më të koncetruara se vera që dehu Polifemin. Poezitë e tij, pa veçuar asnjerën, janë vërtet si një verë e vjetëruar, që sa më shumë të pish, aq më tepër do që ta ngresh gotën”.
NDUE LAZRI
(Bolonjë)
“Një poezi që të bëhet e dashur dhe të intrigon, aq sa ti, si lexues, ke njohur një poet jo të lodhshëm, por një bashkëbisedues të sinqertë dhe një mik të madh të njeriut”.
STEFAN MARTIKO
(Athinë)
“Jovani poet është tejet i çlirët, tejet i natyrshëm e komunikativ, tejet i ndjerë. Xixëllimi i poezisë së tij është në të përditshmen, pa asnjë lloj autocensure, por me një liri të habitshme. Në dukje të thjeshta, të gjitha poezitë kanë filozofinë, përjetimin e thellë, figuracionin e mjaftë për të shprehur me veshjen më të bukur mendimin”.
VAID HYZOTI
(Rixhvud)
“Ti fluturon me një kalë të magjishëm, miku im, me Pegasin. Ndaj krijon vargje të tilla. Dikur kisha bërë edhe unë një poezi, në qelinë e burgut: “Erdhi Pegasi në qelinë time”. Tani vjen tek unë ti, me kalin tënd fluturak. Me poezinë tënde të mrekullueshme”.
VISAR ZHITI
(Romë)
“Miku ynë, Grigor Jovani, është trajektore e spikatur në qiellin e poezisë së krijuesve jashtë Shqipërisë (ndoshta është ky qiell edhe më i kompletuari me yje). Kështu na vjen vlera e tij, duke u informuar me poezinë më të mirë që bëhet në Amerikë, Itali, Angli, Greqi e gjetkë”.
NOVRUZ ABILEKAJ
(Athinë)
“Poezi që botohen në vend të fjalëve të një urimi. I lexoj me një frymë, se ato dreqka janë një grimë, si sheqerkat e dashura të nënave korçare, përpihen menjëherë. Dhe më vjen të them, se ai që ka zemër të sëmurë, mund t’i kërkojë Grigor Jovanit një të re. Ai shejtan ka sa të duash”.
ROLAND GJOZA
(Nju Jork)
“Duke lexuar poezitë e Grigor Jovanit nuk mund të jesh indiferent, sepse ato të ngjiten pas shpirtit, si pjesëz e ndjesive të tua si lexues e kjo sepse ai është tepër i sinqertë në atë çfarë ka përjetuar e mishëruar në vargje, që në dukje mund të shfaqen të thjeshta, por gurgullojnë si burimet poshtë gurëve e fletëve, për t’u shfaqur më pas kristalore”.
KOLEC TRABOINI
(Boston)
“Këndo, Grigor Jovani, këndo këngën e bukur,/ atë këngë, që shpirti ta thotë,/ si dallgë, si valë, si e erë lehtë/ të bjerë zemrave tona, si puhizë e ngrohtë!”
PETRAQ J. PALI
(Virxhinia)
“Të shkurtra vërtet poezitë e Grigorit, por a s’janë të çmuar diamantët, pikërisht mes pakësisë sëformës së tyre?”
THANAS BOÇI
(Athinë)
“Në radhë të parë të uroj për keto poezi, që më dhanë kënaqësi të veçantë. Jo vetëm që jeni PURE i pastër në poezinë që shkruani ( siç thotë për juF.Terziu), por shumë i pastër dhe dashamirës në mendimin kritik ndaj miqve. Lum ata/ ato, që të kanë pranë!”
JULIA GJIKA
(Amerikë)
“Kjo poezi është një rrugëtim pa fund në botën e brendëshme të Grigor Jovanit, që rreket “të pushtojë” e të qetësojë shpirtrat tanë të munduar. Poezitë e Jovanit kanë një varg konciz, të lirë e bashkëkohor, ku të gjithë ne, miq e lexues të tij, e ndjejmë veten aq pranë, sikur të ishim pranë oxhakut të ngrohtë të shtëpisë së tij, në një ditë dimri”.
MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh
“Na shtove bukën e kësaj vere, t’u shtoftë bereqeti! Të falenderoj për këto poezitë e bukura, secila sjell metaforisht një fabul, sa të këndshme, aq edhe mbreslënëse”.
AGIM BACELLI
(SHBA)
“Unë u përpoqa të të ndiqja në udhëtimin tënd brenda vetes, por nuk munda, u dorëzova, mbeta pas dhe kërkova gjirin tim, më të qetë, por nuk më linin ato dallgë, që më ngrite ti në mendje dhe në zemër, o Gole. Po me mua ç’pate?! Apo, ç’desha unë, që u ngatërrova me detin e shpirtit tënd?!”
LLAZAR VERO
(Filadekfia)
“Të bëj portretin poetik të Grigor Jovanit? Poet lirik i mrekullueshëm, ironik dhe i drejtpërsëdrejti, plot vezullime ngjyrash, ku në një pasqyrë të madhe sa bota sheh fytyrën e njeriut, nëpërmjet një vetvetjeje plot nerva, ndjenja e pasione të sinqerta...”
PIRRO LOLI
(Tiranë)
“Grigor Jovani luan me poezinë e tij, pse e ka nënshtruar plotësisht atë, vendos ai se në ç’monopate apo bulevarde do ta shpjerë, sa hapësirë do t’i lejojë, në ç’oktavë ta ngrejë apo ulë zërin. Poezia e mirë, si kjo që kemi në duar, detyrimisht është ngushëllim, shpresë, kurajë”.
ROBERT GORO
(Athinë)
“Të paça, o këngëtar, me shpirtin më fisnik,/ me ty sot derte qava, poezia jote mallet m’i ndezi,/ atje ku ti Greqisë, me fjalën e bukur shqipe i flet,/ porsi rrezja e dritës, në një bukuri mëngjezi!”
LLEMADEO
(Gjermani)
“Poezia jote të përkëdhel e të çjerr, të ngroh e të shkakton mornica, të mjegullon sytë e të dhuron një buzëqeshje. Je poet i vërtetë, Gole, e di apo jo? ”.
ZHANETA LAZRI
(Bolonjë)
“Kantina poetike e Grigor Jovanit, prodhon verë me cilësi të lartë. E di që e dini, por pse po e rikujtoj, nuk ka ndonjë të keqe...”
PILO ZYBA
(Monemvasia)
“Shpirti ma ka një maraz:/ do desha vargjet e mia/ të m’i çojë kali Pegas/ në Athinë, tek Gole miku,/ ku selinë ka poezia!”
PANO TAÇI
(Tiranë)
“Asnjë e shtënë tronditëse. Asgjë solemne. Magnetizim që të tërheq. Poezi sa rrënqethëse, aq dhe balsam qetësues. Një “sëmundje”, nga e cila nuk mund të shpëtosh, por infektohesh. Dhe që të duhet shumë mund, për të shpëtuar prej saj. Nëse dëshiron të shpëtosh, gjë që e konsideroj të pamundur”.
ALUSH AVDULI
(Sarandë)
“Mos, o Gole! Mos bëj vjersha të tilla, si ajo me titull '”Orë e çakordisur”, i dashur mik, se mirë ti je i “çakordisur” krejt, por na bën edhe ne të lëngojmë dhimbshëm për atë të shkretë... çakordisje”.
DILAVER BAXHAKU
(Tiranë)
“Usta” më është Grigor Jovani,/ Prej tij dua të vjedh ndonjë varg./ Sado që plasa nga “inati”,/ Mbeta pas tij, si çirak”.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου