Τετάρτη 10 Φεβρουαρίου 2010

"24 orë pa ne!"


Koncepti bazë i mungesës së paralajmëruar të emigrantëve 
ka të bëjë me pyetjen sfiduese: 
“Çdo të bëni pa ne?! Qoftë edhe një ditë...”
 NË FOTO:
Manifestim në Athinë i së djathtës së LAOS-it (në qendër deputeti Jeorjiadhis) kundër ligjit për emigracionin, që paraqiti Qeveria,  me parullën: "Grek lindesh, nuk bëhesh!" (Fotoja është marrë nga blogu i kolegut dhe mikut Niko Ago).


Lexova sot në shtypin vendas një lajm të veçantë: dita e parë e muajit që vjen, dmth 1 marsi, do të jetë një ditë krejt e veçantë për jetën shoqërore dhe ekonomike greke. Do të mungojnë emigrantët (!) Jo, nuk do t’i fshijë një dorë e magjishme (që aq shumë do ta dëshironin supermanët e së djathtës greke, zotërinjtë Karaxhaferi dhe Samara). Do të mungojnë vullnetarisht (prapë, s’do të kishin kundërshtim - në bëhej, sa më gjatë - liderët e opozitës së LAOS-it (asnjë lidhje me shtetin komunist aziatik) dhe të Demokracisë së Re - natyrisht, demokraci pa emigrantë. Atë ditë, përveçse do të kenë grevë të përgjithshme, emigrantët nuk do të kryejnë asnjë shkëmbim ekonomik. Nuk do të blejnë asnjë produkt në supermarketet dhe laiqitë (pazaret) e lagjeve. Asnjë shkëmbim nëpër banga, kur dihet që përbëjnë pjesën e luanit depozitimet e tyre në to. Madje, edhe fëmijët e të huajve, ata që i mençuri i dikurshëm Platon i quante pjesë të helenizmit, pasi i përfshiheshin arsimimit në gjuhën helene (fisnikërira të harruara këto, pasi për të sotmit i takojnë “injorancës” së antikitetit), nuk do të shkojnë nëpër shkolla, kur dihet që përbëjnë shumicën absolute në to, ngaqë edhe shpikja e “Viagrës” nuk i ndihmoi ende grekët në problemin e mprehtë demografik që përballojnë.
Koncepti bazë i kësaj mungese të paralajmëruar ka të bëjë me pyetjen sfiduese: “Çdo të bëni pa ne?! Qoftë edhe një ditë...”
E di kush ua shtyu në mendje këtë gjë emigrantëve, njoh kryenegociatorin e gjithë kësaj përpjekjeje. Është Niko Ago, gazetari shqiptar i të përditshmes "AVGI", i javores "FAQ", si dhe producent i Radios 105,5 FM, organe të njohura të medias greke. Miq prej kohësh, bisedonim të shtunën e kaluar për këtë plan ambicioz të tij dhe të bashkëpunëtorëve që e rrethojnë. Nuk la gurë pa lëvizur kaq e kaq kohë Nikoja, për të përmbushur këtë plan ambicioz. Dhe po t'i vijë një gjë në mendje atij... Koha është zgjedhur për bukuri. O tani, o kurrë! Hekuri rrihet sa është i nxehtë. Dhe le të shpresojmë, që tani, kur qeveria socialiste e zotit Papandreu shtroi më së fundi në parlament problemin e marrjes së shtetësisë dhe të drejtës së votës prej emigrantëve, gjërat do të shkojnë në vendin e tyre, sipas standarteve të botës së qytetëruar. Le të shpresojmë se, më së fundi, grekët do të çlirohen një herë e mirë nga ksenofobia.
“Frika ndaj të huajit të gërryen mëlçinë...” thuhet në një film të Fasbinderit. Tani që në kinematë vendase qarkullon një film i ri, “Akademia Platon” (thua të ketë një nëntekst alegorik ky film i grekogjermanit Citos, thua i fton grekët regjisori të kujtojnë edhe një herë fjalët akademike të Platonit për të huajt?), që e shikon këtë problem parësor me një sy komik, spektatori shikon që frika mund të mënjanohet, mund të kthehet në gaz. Me kusht që pala tjetër, ata përballë - emigrantët, të shikohen me sy njerëzor, si pjesë përbërëse e jetës, jo si një rëndesë, prej së cilës duhet të çlirohesh. Midis dy gurëve të këtij “xhevahiri”, që quhet ndryshe “jetë e përbashkët, duam s’duam”, duhet të funksionojë komunikimi njerëzor. Nëse nuk do të jemi në gjëndje të ndërtojmë këtë urë komunikimi, kjo do të thotë se jemi të paaftë për t’u ndryshuar. Më shumë ata që kanë çelsat e... Akademisë së Platonit. Nga ana tjetër, kjo, natyrisht, nuk kërkon nga pala tjetër vetëm “ultimatume” të një dite. Kaq nuk mjafton.
Jetojmë kohë të vështira, ku ndërkombëtarizimi i tregjeve, kriza e tejzgjatur ekonomike e tyre, vështirësitë e së përditshmes së njerëzve krijojnë fenomenin e pashmangshëm të frikës. Të frikës se shoqëria e sotme nuk mund t’i kapërcejë vështirësitë. Domethënë, frika ekziston. Që të mos na marrë frymën, duhet medoemos të çlirohemi prej saj. Po ku ta çojmë, ku ta hedhim? Në këso rastesh, gjëndet rruga më e lehtë: kurrizi i të huajve! Ata, të tjerët, kurbanët e përhershëm të mëkateve tona, ata duhet të paguajnë! Dhe në këto raste na vijnë në ndihmë idetë që shpikëm pikërisht për këtë punë (në futboll këtë punë, “të ndyrë” sipas terminollogjisë sportive, e bëjnë mesfushorët mbrojtës), që janë të ashtuquajturat teoritë e “racës së epërme”, të “racës së pastër” dhe të “pastërtisë etnike”. Ato që deklamojnë përditë nga ekranet deputetët dhe politikanët e së djathtës së “Zotit dhe Atdheut” në Greqi.
Por ky nuk është një problem ekskluzivisht grek. Ai shqetëson tashmë gjithë Evropën. Në Zvicër nuk duan minare të reja. U mjaftojnë lartësitë e Alpeve. Italianët nuk duan emigrantë të tjerë. Mbytën sa të duash nëpër dete. Në Francë, dialogu për identitetin kombëtar - një ide e prerë fund e krye sipas stilit “etnikisht të pastër” të mjeshtrit të llojit, Sarkozisë - është kthyer tashmë në një “universitet urrejtjeje ndëretnike”, siç e cilëson shtypi frëng. Kryenegociatori i këtij dialogu, ministri Erik Beson, që dikur “kulloste” në livadhet socialiste të ideve të Sartrit, tashmë konsiderohet prej shumicës si “njeriu më i urrejtshëm në Francë”.
Përse gjithë kjo urrejtje? Mund të bëjë politikë Evropa, me rend të ditës urrejtjen dhe frikën? Kështu mund të dalë nga superkriza shoqëria greke, ekonomia e së cilës, sipas deklarimit të të gjithëve, është në buzë të humnerës së falimentimit? Kaq e kaq probleme të mprehta preokupojnë sot deputetët e Vulisë greke. Problemi i taksave të posaçme, i të ardhurave kombëtare, ai i Siguracioneve - gangrenë e përhershme e politikës ekonomike të qeverive të ndryshme e të tjera që lidhen me to. Megjithatë, problemi i emigracionit ka pjesën e luanit tek preokupimi i politikanëve dhe apinionit publik. Se çdo të bëhet me të huajt që kemi mes nesh - pashmangshëm edhe me fëmijët e tyre - ky është kryeproblemi, që preokupon sot të gjithë grekët.
Së pari, qeverisë së PASOK-ut, që hodhi së fundi në tryezë problemin e zgjidhjes së këtij lëmshi të ngatërruar qëllimisht nga të djathtët etnikë, me kapedan Karaxhaferin e LAOS-it (e thamë, asnjë lidhje me komunistët aziatikë), i duhet së pari të kapërcejë “Bastijën” më të tmerrshme: konceptin histerik të nikoqireve greke, që u mpihet prapanica duke parë gjithë ditën emisionet e TV-së për këto gjëra, se fajtorë për kriminalitetin dhe stratosferizmin e çmimeve janë emigrantët. Tepër e vështirë!
Ministri i Mbrojtje së Qytetarit (pra, edhe i emigrantëve të ligjshëm, që rrojnë në këtë vend), zoti Hrisohoidi, bën përpjekje vigane për t’i mbushur mendjen opinionit publik, se situata është nën kontroll. Veçse i njejti ministër, ishte në të njejtën ministri edhe gjatë qeverisë së mëparshme të PASOK-ut. Edhe atëhere, të njejtat gjëra pretendonte. Por gjendja e të drejtave të qytetarëve, dmth edhe të emigrantëve, shkoi nga e keqja, tek akoma më e keqja. Siç duket, ministri simpatik socialist ka harruar sentencën e lashtë helene, se “nuk hyn për herë të dytë në të njejtin lumë”, atë që shqiptarët e veriut e thonë me fjalët e tyre “daci s’bie dy herë në kos”. Veçse në ka gjetur atë “shkopin magjik”, të cilin e shikojnë si shpëtim të vetëm ndaj problemeve në këtë vend ballkanik të Evropës së Qytetëruar.
Duke konkluduar, dialogu për problemet e emigracionit, nuk mund të mbyllet e të zgjidhet vetëm brenda mureve të parlamentit grek. Do “të diskutohet” kryesisht në rrugët, në ambjentet e punës, në gjirin e shoqërisë greke. Zgjidhja do të jepet aty. Aty ku “mastorët” e politikës “etnikisht të pastër”, zotërinjtë Samara dhe Karaxhaferi, që kthyen botën përmbys “që të mos i dilte qeverisë projektligji i emigracionit”, kanë hedhur “fantet” e tyre bastunë.
Natyrisht, pjesë e rëndësishme e lojës janë vetë emigrantët, të cilët duan të japin mesazhin e tyre të parë më 1 mars, me mungesën e tyre nga skena ekonomike greke, duke bërë të qartë tek të gjithë, se cila është forca dhe rëndesa e tyre. Dhe presin të përsëritet ajo ndodhia kavafiane me barbarët. T’ua kujtoj? Athinasit, kur panë se nuk po vinin barbarët, për t’i pushtuar e njëkohësisht për t’i shpëtuar nga qorrsokaku, britën: “Po tani, çdo të bëjmë pa barbarët?!”
Vërtet, ç’mund të bëjnë grekët e rinj pa emigrantët?
GRIGOR JOVANI
Athinë, 9.2.2010

1 σχόλιο: